Basha: Kandidatët e PD-së për deputet do i nënshtrohen vetting-ut

16/01/2017 00:00

Pas mbledhjes ku koalicioni opozitar nënshkroi memorandumin për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kërkesa e tyre e patejkalueshme ishte votimi dhe numërimi elektronik, Basha mblodhi kryesinë e PD-së.

Kreu i opozitës theksoi se votimi elektronik i jep zgjidhje përfundimtare problemeve kryesore të zgjedhjeve.

“Askush nuk do të fusë më duart në votat e shqiptarëve, nuk do të ketë më kuti votimi. Ne do të luftojmë në këtë beteje për çdo shqiptar, jo vetëm për demokratët”, tha Basha, i cili theksoi ndër të tjera se PD-ja do të angazhohet për në një dialog të drejtpërdrejtë me të gjithë qytetarët.

Lulzim Basha tha se procesi i Vetting-ut siguron një listë dinjitoze përfaqësuese. “Kandidatët e Partisë Demokratike, lista e kandidatëve të cilën unë do të kem nderin t’i kryesoj në këtë betejë për një Shqipëri ndryshe dhe për një ndryshim në Shqipëri, do t’i nënshtrohet një proçesi vettingu, kontrolli të imtësishëm, sipas standardeve më strikte dhe praktikave më të avancuara amerikane, me ekspertë të cilët kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me mua dhe përmes këtij bashkëpunimi, dhe në bashkëpunim me Komisionin e Kontrollit të Integritetit dhe Etikës drejtuar nga Dr.Halim Kosova, do të bëjmë të mundur që çdo demokrate dhe demokrat, anëtar kartëmbajtës i Partisë Demokratike, të flejë i qetë, dhe të jetë i qetë dhe ballëlart, se kandidatët e Partisë Demokratike, janë të pastër si kristali. Një proçes vettingu i hollësishëm, që shkon përtej kërkesave të vetingut për drejtësinë, përtej kërkesave të ligjit për dekriminalizimin, që përfshin natyrisht edhe vetingun e të kaluarës në diktaturë, dhe që siguron një listë dinjitoze, përfaqësuese të aspiratave më të mira të të rinjve shqiptarë, të nënave dhe baballarëve, të gjysheve dhe gjyshërve dhe të brezave që vijnë. Të mos bëjmë asnjë gabim, zonja dhe zotërinj të kryesisë. Kjo është një pikë kthese fondamentale, jo thjeshtë me potencialin, por me detyrën për të eliminuar plotësisht çdo njollë kriminaliteti, korrupsioni, apo bashkëpunimi me organet e diktaturës nga lista e ardhshme e Partisë Demokratike të Shqipërisë”, tha Basha.

Ndërkohë në seancën e mbajtur këtë të hënë në Kuvend, opozita parlamentare ka përcaktuar si çështje të saj parësore në seancën e parë për 2017, çështjen e zgjedhjeve. Partia Demokratike parashtroi me anë të kreut të Grupit Parlamentar, Edi Paloka pesë kushtet e saj për zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel