SHBA: Veriu, e drejtë e Kosovës

16/01/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përkrahur veprimin e institucioneve të Kosovës për t’i dërguar forcat speciale policore në pikën kufitare në veri, me qëllimin të ndalohej hyrja e trenit të paligjshëm serb.

Zëdhënësja e Ambasadës amerikane në Prishtinë, J. Michelle Schohn i tha gazetës “Koha Ditore” se, Shtetet e Bashkuara e respektojnë të drejtën e Kosovës për të menaxhuar kufijtë e saj.

“Ne e kemi njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur që prej vitit 2008”, tha përfaqësuesja e selisë diplomatike të Uashingtonit. “Ajo ka të drejtë të vendosë se kush dhe çfarë do të kalojë nëpër kufijtë e saj”.

“Na vjen mirë, – shtoi zëdhënësja, – që nuk pati konfrontime”.

Kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm zërat, sipas të cilëve pengesat e Beogradit po vijnë në prag të ndryshimit të administratës amerikane, pasi serbët llogarisin që do të kenë mbështetjen e presidentit të ri, Donald Trump.

Schohn mendon se në Ballkan do të ketë vazhdimësi të politikës amerikane. “Politika e SHBA-ve në rajon këto dy dekadat e fundit ka qenë relativisht e qëndrueshme, pa marrë parasysh se cila parti ka qenë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk kemi parë asnjë shenjë, që të dëshmojë se situata ka për të ndryshuar”, u shpreh ajo.

Top Channel