Brazil, nuk ndalen përleshjet mes bandave. Mbi 26 viktima në burg

16/01/2017 00:00

Një tjetër tragjedi përfshin sistemin penitenciar në Brazil. Të paktën 26 persona humbën jetën gjatë një përleshjeje 14 orëshe në burgun e Alcacuz.

Bilanci është trefish më i lartë nga sa u raportua fillimisht dhe mund të rritet më tej, siç bëjnë të ditur autoritetet. Dhuna shpërtheu mes pjesëtarëve të bandave rivale pasditen e së shtunës, e zgjati deri në agimin e ditës tjetër.

Ekipet mjekoligjore deklaruan se shumicës së viktimave u ishin prerë kokat apo pjesë të trupit, e shumë trupa ishin hedhur në një kanal. Përleshjet besohet se nisën kur pjesëtarët e një prej organizatave më të fuqishme kriminale të Brazilit sulmuan rivalët e tyre, që gjendeshin në një godinë tjetër.

E megjithatë, panorama e ngjarjes nuk është ende plotësisht e qartë, ndërsa autoritetet janë ende duke u përpjekur për të rikthyer rendin dhe për të zhvendosur të vdekurit e të plagosurit nga kompleksi.

Pamje nga vendi i ngjarjes tregojnë të burgosurit teksa enden në çatitë e burgut, e tymin që del nga të paktën një prej godinave. Sipas disa raportimeve, të burgosurit prenë elektricitetin para se të fillonte dhuna.

Nuk besohet të ketë të arratisur, por disa persona u dërguan në spitalet e afërta. Burgu i Alcacuz ka një kapacitet prej 620 të burgosurish, por atje qëndrojnë mbi 1.000 të tillë. Mbipopullimi është një problem që shqetëson të gjithë sistemin e burgjeve, e kjo është përleshja e tretë e madhe që përfshin sistemin penitenciar.

Gati 100 vetë humbën jetën në një përplasje të dhunshme mes bandave më herët gjatë muajit në shtetet e Amazonas dhe Roraimas.

Top Channel