Dëbora bllokoi Rinasin. Policia: Udhëtarët nuk përdorin goma dimri

12/01/2017 00:00

Për disa orë, deri në kriposjen e aksit, policia rrugore devijoi qarkullimin drejt aeroportit “Nënë Tereza” nga rruga e vjetër Vorë-Fushë Prezë.

“Ka probleme duke filluar nga Qafë Kashari në drejtim të Rinasit dhe Urës së Gjoles. Ka prezencë të akullit në rrugë”, ka deklaruar Ervin Hasrama, shef i Qarkullimit të Tiranës.

Në ktë aks, por edhe rrugë të tjera, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit u regjistruan më shumë se 25 aksidente.

“Nuk mund të themi aksidente, janë pëplasje me dëme materiale fare të vogla. Problem mbetet mosvendosja e gomave të stinës nga drejtuesit e mjeteve, gomave dimrore. Në disa akse duhet të përdoren edhe zinxhirë”, ka thënë Hasrama.

Ndërkohë, autostrada Tiranë-Durrës iu rikthyre normalitetit, por policia bën apel që të tregohet kujdes në rrugët dytësore. Me zinxhirë është i detyrueshëm edhe kalimi në aksin Tiranë-Dajt.

Zhbllokohet aeroporti, vonesa për shkak të dëborës

13 orë punë dhe mbi 5 tonë kripë janë dashur për të rikthyer në gjendje operimi pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, të ngrirë si pasojë e borës. Disa borëpatruese dhe zjarrfikëse u panë në pistën e aeroprtit.

Moti i keq ka anuluar 4 fluturime në nisje dhe 2 në mbërritje. Udhëtarët nuk kanë mundur të fluturojnë nga Tirana drejt Beogradit, Bolonjës, Milanos dhe Venecias.

Ndërkohë, në mbërritje janë anuluar fluturimi i mbrëmjes së të mërkurës nga Stambolli drejt Tiranës dhe ai i Romës. Pas orës 11:30 operimet në aeroport rifilluan, ndonëse në disa raste pati vonesa.

Top Channel