SHBA, FBI: Piratët rusë nuk kanë sulmuar republikanët

10/01/2017 00:00

Drejtori i Shërbimeve Sekrete Kombëtare, James Clapper deklaroi këtë të martë se raporti i komunitetit të inteligjencës amerikane të prezantuar pak ditë më parë, e që dilte në përfundimin se Rusia kishte orkestruar sulmet kibernetike gjatë fushatës presidenciale të nëntorit 2016, është bazuar mbi burime njerëzore, mbledhjen e të dhënave teknike dhe informacioneve me burime të hapura.

Clapper, i cili ka qenë duke folur përpara Komitetit të Shërbimeve Sekrete në Senat, tha se shumica e raportit është e klasifikuar për shkak të nevojës për të mbrojtur burime dhe metoda tepër të ndjeshme.

Në këtë komitet të Senatit ka dëshmuar sërish edhe kreu i FBI-së, James Comey, i cili është shprehur se “nuk ka asnjë provë që fushata e presidentit të zgjedhur Donald Trump, apo Komiteti Kombëtar Republikan të jetë sulmuar me sukses gjatë zgjedhjeve.

Në vlerësimin e publikuar javën e kaluar, agjencitë amerikane të shërbimeve sekrete thanë se presidenti rus, Vladimir Putin ishte urdhëruesi i përpjekjeve për të ndihmuar republikanin Trump të fitonte zgjedhjet duke diskredituar demokraten Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale të 2016-s.

Top Channel