Kukësi, pa energji. Dëmtohen linjat në Shkodër, Tropojë, Dibër, Durrës dhe Tiranë

06/01/2017 00:00

Reshjet e borës kanë shkaktuar mungesa të energjisë kryesisht në qarqet e veriut. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike lajmëron se, në mesditë është riparuar defekti në linjën 110 kV Kalimash-Kukës, i cili la pa energji prej mbrëmjes së djeshme qytetin e Kukësit dhe rrethinat e tij.

Aktualisht po punohet për vënien në punë të fidërave 10 kV. Te mbi 50 për qind e konsumatorëve energjia është rikkthyer. Pikërisht në riparimin e e këtij defekti, një prej specialistëve të OST-së, pas më shumë se 7 orësh pune kaloi në hipotermi.

Specialisti Ramadan Hallaçi, 57 vjeç, është jashtë rrezikut dhe po kurohet në Spitalin e Kukësit.

Në Tropojë ka pasur probleme në linjat e tensionit të mesëm, duke sjellë këputjen e tyre. Aktualisht rajonet më të prekura nga defektet janë Shkodra, Burreli, Durrësi dhe Tirana.

Në Peqin, 1.700 abonentë të lidhur me fidërin numër 2 janë pa drita, ndërsa OSHEE po punon për rikthimin e energjisë.

Ndërkohë, pas një pune intensive të brigadave të OSHEE-së, është rikthyer energjia në rajonin e Korçës, konkretisht në Hudenisht të Pogradecit, Libonik dhe Mollas të Ersekës.

Ndërprerje ka pasur në rajonin e Shkodrës, kryesisht në fshatra. Ndërkohë në Pukë rreth 380 abonentë mbetën pa energji, si pasojë e defektit në fidëirn e Qafë Mollës. OSHEE po punon për riparimin e avarisë.

Top Channel