Itali, sekuestrohen 510 kg marijuanë nga Shqipëria

05/01/2017 00:00

Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza, me sekuestrimin e rreth 510 kg marijuanë dhe arrestimin e një trafikanti.

Sipas policisë shqiptare, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00 në lokalitetin Torre Veneri të Leçes, pas shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shtetit, GdF e rajonit të Pulias ka goditur tentativën për realizimin e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Me gjithë motin shumë të keq dhe detin me dallgë deri në 7 ballë, trafikanti ka provuar të çajë “rrjetën” e policisë, por ka dështuar. Në bordin e motoskafit të bllokuar, i cili është i gjatë rreth 5.5 metra, Guardia di Finanza ka sekuestruar rreth 510 kg marijuanë.

Trafikanti i ndaluar është identifikuar si shtetasi shqiptar me inicialet A.M, 29 vjeç. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e dy personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel