Akset rrugore, në veri rekomandohen zinxhirët; në jug lëvizje normale

05/01/2017 00:00

Ministria e Transporteve ka njoftuar paraditen e kësaj të enjteje se në akset rrugore të prekura nga reshjet e borës janë kryer rregullisht operacionet e pastrimit, me qëllim mundësimin e qarkullimit në to.

Kështu, sipas një njoftimi për shtyp, në akset e Tropojës dhe Kukësit është bërë pastrimi dhe hedhja e kripës nga kontraktorët.

“Akset në këto qarqe qarkullohen pa zinxhirë. Edhe në akset e Dibrës ka patur reshje bore, por kontraktorët po punojnë për pastrimin dhe hedhjen e kripës”, thuhet në njoftimin zyrtar, ku rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.

Edhe disa akse të Shkodrës janë mbuluar nga bora, por tashmë janë pastruar, ndonëse qarkullimi rekomandohet me mjete mbrojtëse. E njëjta situatë rezulton edhe në akset e Pukës, ku të gjithë kontraktorët janë duke punuar me borëpastruese dhe mjete të tjera.

Të njëjtat masa, vijon njoftimi, janë marrë edhe në akset rrugore të Tiranës, ku qarkullimi i automjeteve është mëse normal. Në disa vende ka patur rrëshqitje gurësh, por që janë pastruar nga kontraktorët, vijon njoftimi.

Normal qarkullimi është edhe në aksin Elbasan-Qafë Thanë. Ndërsa në rajonin jug-lindor të Korçës është bërë hedhja e kripës për shkak të ngricave. Në Gjirokastër ndërkohë dhe në Llogara nuk ka probleme.

“Në të tre rajonet, kontraktorët janë në gatishmëri me mjete borëpastruese dhe fuqi punëtore. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në zonat ku ka ngrica dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore”, përfundon njoftimi.

Top Channel