Miliona nga Kina edhe për Wesley Sneijder

04/01/2017 00:00

Një tjetër futbollist cilësor duket se po joshet nga milionat që ka nisur të shpenzojë pa kriter liga kineze dhe mund ti bashkohet eksodit të lojtarëve që po preferojnë Azinë.

E Ardhmja e Wesley Sneijder mund të jetë larg skuadrës së Gallatasarajit, pasi mesfushori teknik që ishte pjesë e ‘tripletës’ fituese të Interit në 2010, është në tratativa me dy skuadra kineze të cilat e kërkojnë që këtë muaj.

Ai që konfirmoi interesimin ndaj protagonistit të kombëtares portokalli, ishte agjenti Guido Albers, i cili e la të hapur mundësinë e ndryshimit të fanelës për lojtarin që ‘asiston’, në merkaton e dimrit.

“Janë dy klube që e kërkojnë me ngulm, por Sneijder ka një kontratë të vlefshme me Gallatasarajin dhe për më tepër nuk i kanë bërë një propozim konkret lojtarit. Dy skuadrat në fjalë kanë informuar klubin turk, por ende nuk ka detaje”, tha prokuratori i Sneijder, me një referim të qartë se nëse do të vijnë miliona si në rastin e Tevez apo Oskar, edhe holandezi do të kthehet në një markë kineze.

“Çdo skuadër mund të blejë Wesley Sneijder për 7.5 milionë Euro dhe këtë shifër e thotë kontrata e tij. Ai është i lumtur me Gallatasarajin dhe i pëlqen jeta në Stamboll, e për këtë, nuk ka asnjë nxitim për t’u larguar” tha agjenti i Sneijder.

Top Channel