Sulmi në Turqi; Të mbijetuarit: Agresori ishte i qetë

02/01/2017 00:00

2017-ta do të ishte viti kur do të kurorëzonin lidhjen e tyre të dashurisë, por fati kishte rezervuar tjetër gjë për këta dy të rinj turq.

Bëhet fjalë për Mustafa Sezgin Seymen dhe të fejuarën e tij Sezen Arseven, të cilët ishin mes qindra personave qe po festonin ndërrimin e viteve ne klubin e natës në Stamboll, kur ai u kthye në shënjestër të tërbimit terrorist.

Gazeta turke Hurriyet shkruan për historinë fatkeqe të çiftit turk që u nda pa dëshirë në orët e para të 1 janarit, kur një anëtar i ISIS-it hapi zjarr dhe la të vdekur 39 vete, mes tyre edhe Mustafai.

Ai u doli përpara plumbave për të mbrojtur të fejuarën e tij, e cila mbeti e plagosur. Ndërkaq të mbijetuarit rrëfejnë momentet e tmerrit të përjetuar ne një mbrëmje ku kryefjale duhej të ishte festa dhe shpresa për një vit më të mirë.

“Sapo hyri në klub filloi të qëllonte dhe nuk ndalej. Arritëm të fshiheshim poshtë tavolinave dhe fatmirësisht ai nuk doli në tarracë, qëndroi vetëm brenda”, shprehet Younis Tuerq.

“Papritur dëgjova të shtëna, të gjithë filluan të vraponin dhe kështu bëmë edhe ne. Unë bashkë me një kushëri. U fshehëm në vende të ndryshme dhe këmbenim vazhdimisht mesazhe”, tha Yousuf Kodat.

Ndërsa futbollisti i njohur turk Sefa Boydas, rrëfeu në një intervistë për Mail Online se agresori dukej i relaksuar ndërsa derdhte plumbat mbi njerëzit që festonin dhe se qëllonte si një profesionist.  Sipas tij të mbijetuarve u ishte dashur të kalonin mbi trupat e viktimave për të shpëtuar.

Top Channel