Gjermani, 7 të dyshuar për zjarrvënien ndaj të pastrehut

27/12/2016 00:00

Prokurorët gjermanë janë duke marrë në pyetje 7 të rinj, të cilët janë të akuzuar se u përpoqën të digjnin të gjallë një të pastrehë, pranë një stacioni metroje të Berlinit përgjatë Krishtlindjes.

Gjashtë prej të dyshuarve u vetëdorëzuan gjatë pasdites së të hënës, ndërsa i shtati është arrestuar pasi autoritetet publikuan të martën pamjet, foto dhe video, të kamerave të mbikëqyrjes së stacioneve të metrove, ku shfaqeshin të gjithë ata.

Të dyshuarit janë të gjithë mes 15 dhe 21 vjeç, 6 prej tyre janë nga Siria dhe njëri nga Libia, ndërsa që të gjithë kanë mbërritur në Berlin si azilkërkues, sipas prokurorëve.

37-vjeçari i pastrehë ishte duke fjetur në një prej stolave të stacionit të metrosë “Schoenleinstrasse”, kur rrobat e tij u përfshinë nga flakët rreth orës 2 të mëngjesit. Kalimtarë të rastit të shokuar përdorën një copë kartoni, që ndoshta ai shfrytëzonte si mbulesë, për të shuar flakët, ndërsa një drejtues treni përdori bombolën zjarrfikëse për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

I pastrehu, i cili pësoi vetëm asfiksi, nuk u dëmtua nga përpjekja e të rinjve. Prokurorët pritet t’i mbajnë ata në paraburgim, deri në ngritjen e mundshme të akuzave për “tentativë vrasjeje”.

Top Channel