Gripi mbërthen fëmijët, dyndje në pediatri

25/12/2016 15:30

Mbingarkesa e mjekëve të urgjencës pediatrike me 450 fëmijë të vegjël në ditë në këtë situatë gripale mund të çojë në trajtimin mjekësor jo të duhur.

Prindërit janë të prirur që sapo të konstatojnë temperaturë, t’i çojnë  fëmijët në urgjencë, ndërkohë që mjekët  rekomandojnë t’i çojnë më parë për vizitë tek mjeku pediatër i qendrës së tyre shëndetësore.

Dr. Bruna Shiroka, e poliklinës nr. 3, thotë: “Trajtimi më i mirë bëhet nga mjeku pediatër që ka anamnezën e sëmundshmërisë, ndërsa një mjek urgjence nuk di asgjë përveç shenjave të momentit”.

Gjatë gjithë ditëve të javës, sistemi pediatrik në qendrat shëndetësore është i disponueshëm, por vihet re mosbesim i prindërve për t’i dërguar atje, që, sipas mjekëve, është perceptim i gabuar.

“Sistemi i pediatrisë duhet të përditësohet me të dhënat e reja të profesionit, me metodat e reja të trajnimit dhe vlerësimit të sëmundshmërisë pediatrike. Ndoshta prindërit kanë më shumë besim te spitali, por besueshmëria rritet te njerëzit përmes rritjes dhe ngritjes profesionale”, shton Shiroka.

Dita e dielë, në urgjencën e Pediatrisë në QSUT është edhe më e ngarkuar për shkak se qendrat shëndetësore janë pushim.

Top Channel