Pengmarrja në Maltë, vetëdorëzohen mbështetësit e Gaddafit

23/12/2016 00:00

Rrëmbyesit e avionit libian u arrestuan dhe të gjithë pasagjerët u liruan në aeroportin ndërkombëtar të Maltës. Përfundoi në mënyrën më të mirë, drama që po zhvillohej në aeroportin e shtetit ishull, kur për disa orë, rrëmbyesit kërcënonin pasagjerët dhe ekuipazhin e avionit.

Autoritetet malteze thanë se dy agresorët u dorëzuan te policia, pasi kishin liruar shumicën e pasagjerëve në avion. Ky i fundit, me 118 njerëz në bord, u mor peng në mëngjes, pasi u nis nga qyteti Sabha dhe ishte drejtuar për në kryeqytetin libian Tripoli.

Por nën kërcënimin e një granate, agresorët e detyruan pilotin që të fluturonte drejt Maltës. Sipas medieve, bëhet fjalë për mbështetës të ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi, që morën peng “Airbusin 320”.

Në fakt, disa minuta para se ata të dorëzoheshin, valëvitën flamurin e Libisë të epokës së Gaddafit. Kjo mbështetet edhe nga zyrtarë libianë, të cilët thanë se të arrestuairt në Maltë donin që të krijonin një parti politike pro Gaddafit.

Pengmarrja e avionit, që fatmirësisht përfundoi në mënyrën më të mirë, detyroi autoritetet malteze që të mbyllin aeroportin dhe të devijonin trafikun ajror.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel