Vrasja e ambasadorit rus, Irani: Hakmarrje e “Frontit al-Nusra”

21/12/2016 00:00

“Jabhat Fatah al-Sham”, i njohur më parë si “Fronti al-Nusra”, ka marrë përgjegjësinë e vrasjes së ambasadorit rus Andrey Karlov në Ankara.

Grupi terrorist tha përmes një letre të publikuar në internet se, ekzekutimi i Karlovit ishte një fitore për të. Më herët, mediet turke raportuan se një sërë personash kanë përfunduar në pranga për ngjarjen që rrezikoi të çonte sërish në një kurs përplasjeje Turqinë dhe Moskën. Arrestimet janë kryer në Ankara, Izmir dhe Aydin.

Ndërkohë edhe mediet turke, duke cituar si burim agjencinë iraniane të lajmeve “ISNA”, thonë se vrasja e ambasadorit rus në Ankara, Andrei Karlov, është një shenjë e qartë hakmarrjeje nga koalicioni i grupeve islamike siriane të këtij grupi xhihadist.

Ambasadori u vra të hënë pas të shtënave me armë nga një agjent policie, i cili ishte jashtë orarit zyrtar të punës, teksa mbante një fjalim në një galeri arti në Ankara. Qeveria turke, ndryshe nga sa thuhet sot, ia kishte atribuuar përgjegjësinë e vrasjes së diplomatit rus rrjetit të imamit mysliman Fethullah Gulen, të cilin e akuzon gjithashtu edhe për përpjekjen e dështuar për grusht shteti në korrik.

Ndërkohë, autoritetet ruse janë deklaruar në mënyrë më të kujdesshme, teksa kanë thënë se është ende herët për të vendosur gishtin e përgjegjësisë te dikush.

Top Channel