Trupi i pajetë i ambasadorit përcillet për në Rusi

20/12/2016 00:00

Trupi i ambasadorit të ndjerë rus, që u vra nga një polic turk në Ankara një ditë më parë, është kthyer në shtëpinë e tij në Rusi.

Andrei Karlov u qëllua për vdekje nga 22-vjeçari Mevlut Mert Altintas, me 9 plumba pas shpine teksa mbante një fjalim gjatë së hënës, në shenjë proteste për përfshirjen e Rusisë në Aleppo.

Mbrëmjen e së martës, arkëmorti i Karlovit kaloi përmes pistës së Aeroportit “Esenboga”, i mbuluar nga një flamur rus. Ai është shoqëruar drejt aeroplanit të dërguar nga Moska, nga një trupë e Gardës e përbërë nga 6 ushtarë turq.

Një ceremoni e shkurtër, ku morën pjesë diplomatët kryesorë në Ankara dhe zv.kryeministri turk, Tugrul Turkes, u zhvillua përpara se Karlovi të linte Turqinë për herë të fundit.

Në skenat thuajse të pazakonta për një vend mysliman si Turqia, një prift ortodoks rus bëri lutjet e fundit mbi arkëmort, ndërsa një ushtar turk qëndronte duke mbajtur portretin e diplomatit të vrarë, teksa bashkëshortja e këtij të fundit Marina ishte kapluar nga të qarat.

Bashkëshortja ishte e pranishme edhe në momentin kur Altintas hapi zjarr ndaj bashkëshortit të saj, i cili mori detyrën e diplomatit në Ankara në vitin 2013. Deri më tani nuk dihet nëse agresori, një pjesëtar i forcave speciale të Turqisë i cili mbeti i vdekur pas ngjarjes, ka lidhje me ndonjë grup.

Gjithsesi, Rusia dhe Turqia dolën me një qëndrim të përbashkët mbi vrasjen e tji, duke e quajtur atë “një akt provokimi”, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin tha se ishte “padyshim me synimin për të prishur normalizmin” e marrëdhënieve dypalëshe dhe “procesin e paqes në Siri”.

Putin dhe Erdogan janë angazhuar të punojnë së bashku për të gjetur se kush fshihet pas vrasjes së Karlovit, e për këtë, hetuesit rusë mbërritën në Turqi ditën e martë.

Top Channel