Zurich, agresori që vrau 3 besimtarë në xhami nuk kishte lidhje islamike

20/12/2016 00:00

Agresori që qëlloi ndaj 3 besimtarëve në një xhami të Zurichut mbrëmjen e së hënës ishte një 24-vjeçar zviceran me prejardhje nga Gana dhe pa lidhje të qarta me radikalizmin islamik. Kështu njoftoi policia gjatë kësaj të marte.

I dyshuari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, besohet të ketë vrarë një tjetër person në Zurich gjatë së dielës së kaluar. Pas ngjarjeve të së hënës ai është vetëvrarë, ndërkohë që motivet drejt këtij veprimi mbeten ende mister, sipas zyrtarëve të policisë.

“Ai është zviceran, ndërsa për motivet nuk dimë ende asgjë”, tha Christiane Lentjes Meili, kreu i hetimeve kriminale në policinë e kantonit të Zurichut.

Agresori, i cili vite nga zona e Usterit mësyri në qendrën islamike pranë stacionit kryesor të trenave në kryeqytetin financiar të Zvicrës, e më pas hapi zjarr ndaj besimtarëve që po luteshin, duke plagosur 3 meshkuj. Gjendja e këtyre të fundit thuhet se po përmirësohet.

Trupi i tij i pajetë u gjet pak më vonë rreth 300 metra larg vendit të të shtënave. Sipas policisë, ai është vetëvrarë pas aktit kriminal. Hetuesit, gjithsesi, thonë se ende ngrenë pikëpyetje mbi motivet që e shtynë atë drejt vrasjeve. Ajo që dihet është se, ai ishte larguar nga puna e tij në një dyqan gjatë së premtes, ndërkohë që precedenti i fundit penal kishte të bënte me vjedhjen e një biçiklete rreth 7 vite më parë.

Ka të dhëna, gjithashtu, se agresori kishte shfaqur interes ndaj shkencave të së padukshmes, sipas asaj që tha Lentjes Meili, duke shtuar se në këtë moment nuk është e qartë nëse ai ka qenë një person me probleme psikologjike.

Top Channel