Zgjatet pezullimi për gjyqtaren e Sarandës

19/12/2016 00:00

Gjykata e Lartë vendosi këtë të hënë të zgjasë pezullimin nga detyra të gjyqtares Majlinda Andrea derisa të përfundojë gjykimi ndaj saj për akuzën e korrupsionit pasiv, të ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme.

Por në hapje të seancës, Gjykata e Lartë pranoi që afati tremujor i pezullimit nga detyra të Andreas kishte përfunduar, duke i dhënë pjesërisht të drejtë avokatëve mbrojtës që pretenduan se, që prej tetorit ndaj saj nuk kishte patur masë.

Por megjithë këtë qëndrim, togat e zeza vlerësuan se gjyqtarja e Lartë nuk mund të kthehet në detyrë siç kërkoi mbrojtja përsa kohë ajo mund të rastisë në trupa gjyqësore të njëjta, çka do të kompromentonte procesin.

Gjykata e Lartë i konsideroi të vlefshme përgjimet ambjentale dhe telefonike ku shfaqej edhe gjyqtarja, ndërkohë që rrëzoi kërkesën e avokatëve për zbutjen e masës së sigurisë ndaj bashkëshortit të saj, Odise Andrea, i shpallur në kërkim.

Aktualisht për këtë dosje, që ka në qendër pagimin e 50 mijë eurove ryshfet për një verdikt gjyqësor, mbahen në paraburgim edhe dy persona të tjerë, ndërsa shtetasja Eleni Lino është në gjendje të lirë pasi ajo ka treguar se si u paguan lekët për vendimin gjyqësor për 40 hektarë tokë në Butrint.

Top Channel