Messi-Suarez, “magji” në derbin e Katalunjës

18/12/2016 00:00

Barcelona jep spektakël në derbin e Katalunjës, me publikun e Camp Nout që përulet para magjive të Lionel Messit. Edhe pse shënoi vetëm një gol në portën e Espanjollit, argjentinasi ishte i papërmbajtshëm me shpërthimet e tij në fitoren 4-1 të Barçës.

Pa u mbushur 18 minuta lojë Andres Iniesta ofroi një asist përfekt për Luis Suarezin, që përballë portierit shënoi me qetësi golin e parë.

Camp Nou mbeti i mahnitur në minutën e 67-të kur Lionel Messi vallëzoi mes katër mbrojtësve dhe goditi portën, ndërsa topin e kthyer nga portieri e shtyu drejt rrjetës Luis Suarez.

Një minutë më pas, në një aksion të ngjashëm, magjia e Messit u shndërrua në asist për Jordi Alban, që shënoi golin e 3-0.

Espanjoli mundi të reagonte në minutën e 79-të nëpërmjet një kundërsulmi të shpejtë, që u përmbyll me golin e David Lopez

Nuk mund të mungonte në këtë mbrëmje magjike për blaurganat goli i Lionel Messit, pas një kombinimi perfekt me Luiz Suarezin.

Barca me këtë sukses ngjitën në kuotën e 34 pikëve, 3 më pak se Reali i Madridit që ka një ndeshje të prapambetur.

Top Channel