Venezuelë, kaos me këmbimin e kartëmonedhave

18/12/2016 00:00

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro shtyu për në datën 2 janar tërheqjen nga tregu të kartëmonedhës me vlerë 100 bolivarë. Ndryshimi i beftë i politikës qeveritare erdhi pas ditëve të tëra protestash të dhunshme dhe kaosi ekonomik.

Gjatë një fjalimi për kombin, Maduro tha se Venezuela ishte bërë viktimë e sabotazhit ndërkombëtar, që nuk lejoi mbërritjen në kohë të kartëmonedhave të reja prej 500 bolivarësh. Si zakonisht, edhe këtë herë, qeveria e Venezuelës fajësoi faktorët e jashtëm për problemet e vendit.

Shumë venezuelianë rrinin prej ditësh në radhë të gjata për të këmbyer kartëmonedhat, që duhej të zëvendësoheshin. Mijëra dyqane janë mbylluar për shkak të mungesës së parave “cash” dhe publikut i është dashur të përdorë kartat e kreditit apo transfertat bankare.

Megjithatë, shumë njerëz nuk kanë pasur mundësinë që të blenë ushqime, pasi nuk i kanë as këto mundësi pagese. Në shumë qytete të vendit u regjistruan protesta të dhunshme dhe plaçkitje magazinash.

Shumë qytetarë, në pamundësi për të blerë ushqime dhe ilaçe, për shkak të mungesës së parave apo mbylljes së bizneseve, sulmuan magazina të ndryshme. Mediet raportojnë se ka disa viktima në zona të ndryshme të vendit, megjithëse në përgjithësi, autoritetet lokale nuk kanë bërë përpjekje serioze për të ndalur njerëzit e uritur në kërkim të ushqimit për veten dhe familjet e tyre.

Në disa qytete, njerëz tregonin kartëmonedhat prej 100 bolivarësh për mediet, duke thënë se ato nuk vlenin më dhe se, pavarësisht shtyrjes së daljes së tyre nga qarkullimi, asnjë biznes nuk i pranon më.

Top Channel