Kosovë, të dielën balotazhi për Drenasin

16/12/2016 00:00

Kandidatët për kryetar të komunës së Drenasit janë shprehur të bindur në fitoren e tyre të dielën, kur dhe do të zhvillohet raundi dytë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramiz Lladrovci, i cili në raundin e parë mori 45 për qind të votave, dhe ai “Nismës për Kosovën”, Isa Xhemajlaj, i cili mori 26 për qind të votave, kanë thënë se ndryshimi dhe mirëqenia vijnë vetëm me ta.

Lladrovci deklaroi se ndryshimet në Kosovë dhe Drenas mund t’i sjellë vetëm PDK-ja, ndërsa Xhemajlaj ka thënë se me fitoren e tij do të ndalet keqqeverisja në këtë komunë.

“Ashtu si çdo herë, edhe të dielën do të jemi fitues të padiskutueshëm, sepse vizioni, përkushtimi dhe angazhimi ynë për shtetin, mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik, është i pakrahasueshëm me oponencën tonë. Përfaqësoj traditën më të mirë të përgjegjësisë institucionale në shërbim të qytetarit, ndaj pres fitoren e merituar”, ka thënë Lladrovci.

Ndërkohë, kandidati i Nismës për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj ka thënë se qytetarët e kësaj komune janë zhgënjyer nga premtimet boshe të PDK-së dhe pret që ata të jenë pro ndryshimit të qeverisjes në Drenas.

“Gabimet që ka bërë PDK-ja me premtimet dhe mashtrimet kanë ndikuar që elektorati ta humbasë besimin te PDK-ja. Ai elektorat po interesohet të zgjedhë një kandidat që është shumë më serioz. Kjo u vërtetua në raundin e parë, kur 55% të votuesve të kësaj komune votuan pro ndryshimeve dhe kundër vazhdimit të qeverisjes së deritanishme. Nëse i referohemi kësaj dhe bisedave që kam bërë me qytetarët e Drenasit, ata janë të interesuar që në këtë komunë të ndodhë ndryshimi”, ka thënë Xhemajlaj, i cili ka premtuar se me fitoren e tij nuk do të ndodhë më shpërdorimi i parasë publike në këtë komunë.

Top Channel