NBA, 8 fitore radhazi për Houston Rockets

15/12/2016 00:00

Houston Rockets po shfaqet si skuadra më në formë në këtë moment në NBA.

Ekipi i drejtuar nga Mike D’Antoni shënoi fitoren e 8 radhazi, teksa mposhti Sacramento Kings 132-98. Në “Toyota Center”, skuadra teksane ishte një stuhi e vërtetë dhe për Sacramenton ishte një mision i pamundur ndalimi i vrullit të saj. Edhe këtë radhë, ai që spikati për Rockets ishte James Harden me 15 pikë, 14 topa në tabelë dhe 11 asist.

Cleveland Cavaliers ndalet nga Memphis Grizzlies në “FedEx Forum” 85-93. Skuadra e Cavaliers nuk kishte në parket LeBron James, Kevin Love e Kyrie Irving, të lënë pushim nga trajneri Lue dhe nga kjo përfitoi skuadra e Grizzlies, që u shkaktoi kampionëve të NBA disfatën e 6 sezonale.

Fitore shënoi edhe San Antonio Spurs, që në “AT&T Center” theu Boston Celtics me rezultatin 108-101. Për teksanët e Gregg Popovich ky ishte suksesi i 15 në 17 ndeshjet e fundit, ndërkohë që bilanci prej 20 fitoresh e 5 humbjesh i pozicionon ata në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit, pas Golden State Warriors. Leonard me 26 pikë, Pau Gasol me 13 topa në tabelë dhe Toni Parker me 7 assist ishin ata që drejtuan San Antonion drejt këtij suksesi.

Në ndeshjet e tjera, Charlotte Hornets regjistroi disfatën e tretë radhazi, pasi u mposht nga Washington Wizards 106-109, LA Clippers fitoi me Orlando Magic 113-108, ndërsa La Lakers humi ndaj Brooklyn Nets 97-107.

Top Channel