I mbijetuari i Srebrenicës: Gjenocidi i Bosnjes po përsëritet me Aleppon

13/12/2016 00:00

Nedzad Avdiç mban mend shtëpinë t’i digjej nga themelet. Kujton ikjen nga sytë këmbët me të afërmit e tij, prej atij ferri nga i cili vraponin pa e ditur nëse do të dilnin gjallë. Ai ishte 17 vjeç kur përjetoi gjenocidin më të egër në Europë, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Sot i ka ende para syve torturat e ndien nën hundë erën e gjakut, ashtu siç nuk harron dot premtimin se ajo që ndodhi në Bosnje nuk do të përsëritej më kurrë. E megjithatë, këtë zotim e sheh të shkelet orë pas ore, e ditë pas dite në tmerrin që s’ka fund të Aleppos.

“Vite të tëra bombash thërrmuese, predhash e gazi toksik që lëshohen mbi popullsinë, funeral pas funerali, vdekje pas vdekjeje dhe bota, – thotë Avdiç për “the Guardian”, – rri e vështron shkatërrimin e një kombi e një populli të tërë. Çdo herë që menduam se nuk mund të shkonte më keq, në fakt më keq u bë. Familje të tëra që mbetën pa ujë, ushqime e ilaçe. Nuk ka më spitale në këmbë e autoambulanca të shpëtojnë njerëzit. Qyteti i vdekjes nuk kursen as kllounët. A mos ishte vallë vrasja e njeriut që argëtonte fëmijët, edhe vdekja e shpresës për Aleppon?”

Avdiç ishte njëri prej meshkujve që u dërguan në mesin e korrikut 1995 nga ushtarët serbë në një fushë për t’u ekzekutuar. Ai u qëllua në bark, në krah dhe në këmbën e djathtë, por mbijetoi dhe kur serbët u larguan, arriti bashkë me një person tjetër t’i ikte vendit të mbushur me të vdekur.

Në vitin 2005, Parlamenti Europian lëshoi një deklaratë ku e dënonte gjenocidin e Srebrenicës e zotohej që një makabritet i tillë të mos ndodhte më kurrë.

“Por unë sot e shoh të ndodhë, edhe pse jo në Europë – thotë Avdiç. – Dhe tmerre të tilla, vetëm udhëheqësit mund t’i ndalojnë. Njerëzit të vetëm nuk e bëjnë dot. Dështimi për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të Aleppos e të tjerëve, – vazhdon 38-vjeçari, – është tradhti ndaj viktimave të të gjithë gjenocideve, nga të cilat pretendojmë se kemi nxjerrë mësime”.

Top Channel