BE nuk i ndalon formalisht bisedimet me Turqinë

13/12/2016 00:00

Ministrat e Jashtëm të BE-së thanë se nuk do të nxitojnë me bisedimet për anëtarësimin e Turqisë, por hodhën poshtë thirrjet nga Austria dhe ligjvënësit europianë që të pezullojnë procesin, për shkak të operacioneve të sigurisë që po zhvillon Ankaraja.

BE-ja ka kritikuar autoritetet turke për masat e ashpra të sigurisë dhe arrestimet e shumta pas grushtit të shtetit të korrikut, por nuk mund të rrezikojë që të mërzisë shumë Turqinë, pasi u duhet bashkëpunimi i saj për frenimin e emigracionit dhe konfliktit në Siri.

Si zakonisht, logjika e ftohtë fiton mbi parimet, pavarësisht se këto të fundit, Bashkimi Europian i kërkon me të madhe nga të tjerët, por vet edhe mund t’i anashkalojë. Turqia ka arrestuar dhjetëra mijëra njerëz dhe më shumë se 100 mijë të tjerë i ka pezulluar nga detyra, ndërsa shfrytëzon më së miri situatën e tensionuar për të shtypur opozitën.

Pikërisht këtë theksoi edhe ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, i cili shtoi se Turqia i është larguar Europës dhe bisedimet duhen pezulluar. Megjithatë, diplomatët e tjerë europanë gjetën një rrugë të mesme për të shkelur përfundimisht parimet, e gjithashtu duke mos mërzitur shumë Ankaranë.

Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Didier Reynders tha se bashkëpunimi me Turqinë duhet të vazhdojë në shumë fusha, megjithëse situata aktuale e bën të pamundur hapjen e kapitujve të rinj në procesin e bisedimeve. Në të njëjtin kuadër, shefi i Zgjerimit në BE, Johannes Hahn tha se negociatat me Turqinë janë frenuar prej muajsh dhe zor se do të rinisin në muajt e ardhshëm, duke sugjeruar se një pezullim formal i tyre nuk është i nevojshëm.

Top Channel