Arsenali, 3 javë pa Shkodranin

11/12/2016 00:00

Shpresat e Arsenalit për të qëndruar në majat e renditjes së Premier Ligës kanë marrë një goditje të fortë që mund të reflektohet në ndeshjet e ardhshme. Formacioni londinez do të duhet të bëjë llogaritë pa futbollistin shqiptar Shkodran Mustafi për 3 javët që pasojnë, për shkak të një dëmtimi muskular që e privon mbrojtësin nga loja aktive.

Futbollisti i kombëtares gjermane pati probleme me muskujt e kofshës në suksesin 3-1 ndaj Stoke City dhe u detyrua të braktiste fushën e “Emirates Stadium” pas vetëm 25 minutash lojë.

“Është një dëmtim serioz dhe minimumi i kohës për rikuperimin është caktuar 21 ditë”, tha trajneri Arsen Wenger, kur u pyet për dëmtimin e futbollistit nga Gostivari por të lindur në Bad Hersfeld, në Gjermani.

Mungesa e Shkodran Mustafit vjen në një pikë kyçe të sezonit, kur Arsenali luan ndaj Evertonit këtë të martë, e më pas ka betejën direkte për titullin me Manchester City.

Mbrojtësi me influencë do të mungojë gjithashtu edhe në sfidën ndaj West Brom në shtëpi. Shkodran Mustafi iu bashkua në verë Arsenalit pasi londinezët paguan 32 milionë paund.

Top Channel