Evakuimet në Alepo, OKB: Qindra burra janë zhdukur

09/12/2016 00:00

Lajmi për pezullimin e luftimeve në lindje të Alepos, për të lejuar evakuimin e qytetarëve të bllokuar atje, u pa si një kthesë pozitive e konfliktit të përgjakur që ka marrë me qindra jetë.

Por tani, zyrtarë të OKB-së ngrenë shqetësimin se qindra burra rezultojnë të zhdukur pas kalimit nga zonat në duart e rebelëve, në territorin e kontrolluar nga qeveria.

Forcat e drejtuara nga qeveria siriane kanë marrë në duar të paktën 75 për qind të zonave lindore të qytetit, që më parë ishin të pushtuara nga rebelët. Dhjetëra mijëra civilë janë larguar nga këto distrikte, me rreth 8.000 që u shpërngulën gjatë pushimit humanitar të së enjtes.

Por sipas Rupert Colville, zëdhënës i Komisonerit të lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, deri në 100 mijë vetë vazhdonin të ishin të bllokuar në frontin e luftës dhe qindra burra mund të ishin zhdukur gjatë përpjekjes për të kaluar në zonat e kontrolluara nga ushtria.

“Duke konsideruar precedentët e tmerrshëm të dënimeve arbitrare, torturave dhe zhdukjeve që u janë atribuar qeverisë siriane, jemi shumë të shqetësuar lidhur me fatin e këtyre individëve”, tha ai.

Sipas informacioneve të siguruara nga OKB-ja, burra nga mosha 30 deri në 50 vjeç u veçuan nga familjarët e tyre, ndërsa të tjerëve iu sekuestruan kartat e identitetit. Colville tha gjithashtu se, edhe grupet rebele mund të jenë duke kryer krime lufte, duke i penguar civilët të largohen drejt zonave të sigurta.

Edhe pse njoftoi pezullimin e luftimeve të enjten, për të lejuar evakuimin e civilëve, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov theksoi se beteja do të vazhdonte derisa banditët të largoheshin nga Alepo.

Sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, forcat tokësore e kishin vazhduar ofensivën e tyre dhe pati disa sulme ajrore gjatë natës. Ndërkohë, grupi i ashtuquajtur i “Helmetave të Bardha” bëri të ditur se 46 civilë ishin vrarë e 230 kishin mbetur të plagosur të enjten, në lindje të Alepos, ku siç thuhet ishin hedhur 3 fuçi bombash me gaz klorin.

Top Channel