Bruksel, prezantohet “shtëpia” e re e Këshillit Europian

08/12/2016 00:00

Me një kosto prej rreth 321 milionë eurosh, zyrat e reja të Këshillit Europian kanë bërë që shumëkush të rrudhë vetullat. Të vendosura mes zyrave aktuale të Këshillit Europian, godinës “Justus Lipsius” dhe aneksit të saj, ndërtesës “LEX”, godina “Europa” pritet të hapë dyert për udhëheqësit e bllokut me 28 anëtarë në gjysmën e parë të vitit 2017.

Ndërtimi i godinës nisi në shtator të vitit 2011. Pamje nga hapësirat e brendshme dhe të jashtme të godinës janë bërë publike të enjten në Këshillin e BE-së, duke treguar detajet më interesante. Kupola është bërë me 3.750 dritare të drunjta, të marra nga zona të shkatërruara në mbarë bllokun, ndërkohë që ka edhe pjesë të ndërtesës paraardhëse të vitit 1920, “Residence Palace”, ku ndodheshin zyrat lokale të zbulimit ushtarak gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sidoqoftë, jo gjithkujt i pëlqen pamja e përgjithshme e godinës. Buxheti fillestar për ndërtimin e godinës ishte 240 milionë euro, por Këshilli e vlerëson tani koston totale në 321 milionë euro, shumë kjo që merret nga buxheti europian.

Sipas Këshillit, ndërtesa është ekologjike, me 636 panele diellore në çati, një sistem të mbledhjes së ujit të shiut që përdoret në ambientet e brendshme, ndriçim të avancuar, si dhe sisteme të rregullimit të lagështirës dhe temperaturës.

Këshilli e ka justifikuar ndërtimin e godinës së re me numrin në rritje të samiteve që mbledhin udhëheqësit dhe ministrat e BE-së, nga 4 në vit në 2004-n, në mesatarisht 8 ose 9 këto vitet e fundit.

Godina ka 3 salla të mëdha samitesh dhe 8 salla të tjera takimesh. Institucionet europiane presin që takimi i parë ministerial të mbahet në ndërtesën “Europa” në janar të 2017-s dhe takimi i parë i udhëheqësve në tremujorin e parë, ndoshta në mars.

Top Channel