SHBA, kritiku i Obamës në krye të Agjencisë së Mjedisit

08/12/2016 00:00

Emërimet e përfolura të Donald Trump në postet kyçe të administratës amerikane vazhdojnë me caktimin në krye të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit të një kritiku të ashpër të politikave klimatike të presidentit në ikje, Barack Obama.

Njeriu që do ta marrë këtë detyrë, prokurori i përgjithshëm i Oklahomës, Scott Pruitt, konsiderohet si aleat i industrisë së karburantit fosil.

48-vjeçari ka qenë një lojtar kyç i nismave ligjore të ngritura kundër rregullave të Agjencisë mbi emetimin e gazeve shkaktare të efektit serë.

Demokratë e ambjentalistë kanë reaguar menjëherë ndaj vendimit të Trump duke e përshkruar Pruitt si një individ që mohon ndryshimet klimaterike.

Vetë presidenti i zgjedhur deklaroi se Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit ka shpenzuar dollarët e taksapaguesve për një axhendë kundër energjisë të dalë jashtë kontrollit, e cila ka eleminuar miliona vende pune. Por Pruitt, shtoi ai, është njeriu që do ta ndryshojë këtë trend.

Top Channel