SHBA, Ben Carson në krye të Strehimit dhe Zhvillimit Urban

05/12/2016 00:00

Neurokirurgu në pension, Ben Carson, i cili nga rival u kthye në mbështetës i Trumpit, është përzgjedhur nga ky i fundit si shef i Departametit të Strehimit dhe Zhvillimit Urban.

Carson, që ashtu si edhe Trump nuk ka mbajtur asnjëherë poste publike dhe nuk ka eksperiencë në qeverisje, kishte thënë se nuk ishte i interesuar për të shërbyer në administratën “Trump”, për shkak se nuk kishte eksperiencën e duhur.

Sidoqoftë, duke pranuar propozimin, Carson tha:

“Besoj se mund të jap një kontribut domethënës, veçanërisht në mbështetjen e komuniteteve në nevojë”.

65-vjeçari, ka qenë shpesh në shënjestër të Trumpit gjatë fushatës. Por, ai u shndërrua në një nga mbështetësit më të flaktë afro-amerikanë, pasi Trumpi mori nominimin presidencial të republikanëve.

Në krye të Departamentit të Strehimit dhe Zhvillimit Urban, Carson do të drejtojë një agjenci që ka si mision të ndihmojë personat me të ardhura të pakëta, që të gjejnë shtëpi. Departamenti po ashtu mbikëqyr kreditë për shtëpitë dhe programet e tjera të strehimit.

Top Channel