Austria rivoton për presidentin e ri, sondazhet s’japin fitues

04/12/2016 00:00

Europa mban frymën pezull jo vetëm për referendumin në Itali, por edhe për përsëritjen e balotazhit presidencal në Austri, pas anulimit të votës së majit.

Sfida është sërish mes përfaqësuesit të “të gjelbërve”, Aleksandër van der Belle, dhe përfaqësuesit të nacionalistëve, Norbert Hofer, me këtë të fundit që premton të mbajë Austrinë në BE, por nuk pranon qeverinë e Brukselit.

Balotazhi i majit, që u fitua nga kandidati “i gjelbër” me vetëm 0.7% të votave më shumë, u anulua pasi Gjykata e Lartë vendosi se kishte pasur shkelje të rregullave të votimit.

Aktualisht, ashtu si edhe në maj, sondazhet vazhdojnë që të mos japin dot një fitues, pasi gara është shumë e ngushtë. Nëse Hofer fiton, ai do të bëhet kreu i parë ekstremist i djathtë i një shteti në BE.

Megjithëse posti i presidentit në Austri është kryesisht ceremonial, zgjedhjet po vëzhgohen si një barometër apo tregues sesi do të shfaqen kandidatët populistë në sfidat elektorale pasuese në të gjithë kontinentin.

Vitin e ardhshëm, Franca, Gjermani dhe Holanda zhvillojnë zgjedhje dhe në këto vende partitë antielitë dhe antiemigracion po fitojnë terren.

Top Channel