Testet zgjedhore që mund të ndryshojnë fytyrën e BE-së

02/12/2016 00:00

Këtë fundjavë në Itali dhe Austri, Bashkimi Europain do të përballet me dy të parat e një serie të gjatë testesh elektorale, që mund të ndryshojnë thellësisht peizazhin politik të bllokut dhe t’i japin fund projektit europian në formën aktuale.

Majin e shkuar, para Samitit të G7-s, zyrtari veteran europian dhe shefi i kabinetit të presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker, Martin Selmayr e përshkroi me një mesazh të “Twitter” atë që cilësonte si “skenari i horrorit populist”.

“Imagjioni nëse në vend të Barack Obamës, François Hollande, David Cameron dhe Matteo Renzit, në samitin e radhës të kemi Donald Trump, Marine Le Pen, Boris Johnson dhe Beppe Grillon”, shkroi politikani veteran.

Ai pati të drejtë për Trumpin, tashmë president i zgjedhur. Pati gjysmë të drejtë për Johnsonin, që pas “Brexit” nuk zuri vendin e Cameronit, por u bë ministër i Jashtëm. Nëse do të ketë të drejtë edhe për të tjerat, Europa do të jetë në telashe serioze.

Batica e zemëruar antielitë dhe me kombin në vend të parë, që solli “Brexit”-in në Britani dhe Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, po rritet edhe në Europë. Gjatë 12 muajve të ardhshëm, rreth 12 referendume, zgjedhje parlamentare dhe presidenciale zhvillohen në vendet anëtare, ku garojnë parti populiste dhe euroskeptike, që besojnë se ajo që ndodhi në SHBA dhe Britani mund të ndodhë edhe në Europë.

Paralajmërimet nga udhëheqësit e Europës për rrezikun populist nuk kanë munguar, duke treguar se rreziku është real. Dy testet e para janë këtë të dielë. Në Itali, kryeministri Renzi ka rrezikuar postin në referendumin e ndryshimeve kushtetuese dhe sondazhet nuk i japin shpresë. Në Austri ka mundësi që të zgjidhet presidenti i parë i ekstremit të djathtë në BE, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Sytë e udhëheqësve europianë janë përqëndruar te këto dy vende, që mund të nisin një “ortek”, që do të ndryshonte Bashkimin Europian nga modeli që njohim.

Top Channel