Tirana-Partizani, kronika e një derbi të mbetur përgjysmë

01/12/2016 00:00

Për të parë një fitues në derbin mes Tiranës dhe Partizanit duhet pritur ende. Stadiumi “Selman Stërmasi” u pushtua nga errësira e plotë për shkak të një problemi me energjinë elektrike duke detyruar vëzhguesit e Federatës Shqiptare të Futbollit të marrin vendimin për ta shtyrë këtë sfidë për ditën e premte në orën 14:00 ku gjithçka do të nisë nga minuta e 63, kur edhe ndodhi defekti teknik.

Deri në momentin e ndërprerjes së sfidës, skuadrat shfaqën në fushë e lojës përpjekjet e tyre për të sulmuar e për të fituar përballë tifozëve respektive që e kishin shfrenuar fantazinë e tyre me koreografinë e krijuar.

Tirana ishte ajo që krijoi rastet e para për shënim me Karabecin, Cisse dhe me Marveile, por Hoxha dhe fati nuk lejuan që topi të hynte në rrjetë. Partizani nga ana e tij u kundërpërgjigj në 17 minutat e fundit të kësaj pjesë fillimisht me Ekuban e më pas me Bathën, por edhe këta futbollistë nuk mundën të shënonin.

45 minutat e dyta filluan me një rast të Cisse, që u ndal nga portieri i partizanit Alban Hoxha. Pas një periudhe qetësie në fushën e lojës ndodhi dhe e papritura kur u shfaq problemi me energjinë elektrike që detyroi skuadrat të shkonin përpara kohe në dhomat e zhveshjes pikërisht me sfidën të mbërthyer në barazimin 0-0.

Përpara kësaj ndeshjeje Partizani ndodhej në vendin e tretë në renditje me 23 pikë, i ndjekur menjëherë nga Tirana me 2 pikë më pak.

Top Channel