OPEC redukton naftën, stimulohet rritja e çmimit

01/12/2016 00:00

Për herë të parë në 8 vjet, OPEC pranon të reduktojë prodhimin e naftës për të stimuluar rritjen e çmimit të arit të zi, që thuajë është përgjysmuar që prej 2014-s.

Muhamed Bin Saleh Al Sada, presidenti i OPEC bëri të ditur se do të reduktoheshin deri në 1.2 milionë fuçi nafte në ditë që prej fillimit të muajit janar. Përpos eksportuesve më të mëdhenj të naftës në botë edhe vendet jo anëtare të OPEC pritet të reduktojnë prodhimin me 600 mijë fuçi në ditë, siç sqaroi Al Sada.

“Kjo marrëveshje lind nga ndjenja e përgjegjësisë së vendeve të OPEC-ut dhe atyre që nuk janë pjesë e organizatës, për të mirën e ekonomisë botërore”.

Marrëveshja u arrit pasi ministrat e naftës ranë dakord në parim në muajin shtator lidhur me reduktimin e rreth 700 mijë fuçive në ditë, në të njëjtën kohë duke lejuar Iranin të rrisë prodhimin. Por mosmarrëveshjet mes Arabisë Saudite, prodhuesit më të madh të naftës në botë dhe Iranit ngjallën dyshime për hyrjen në fuqi të ujdisë.

Gjithsesi të mërkurën, sauditët pranuan një reduktim prej 500 mijë fuçish në ditë, për një total prej 4.5 përqind. Ndërkohë, Irani u lejua të rrisë pak prodhimin nga niveli i muajit tetor. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” kjo u arrit pas pezullimit të anëtarësimit të indonezisë në OPEC, pasi vendi nuk mund të përballonte reduktimin e prodhimit. Impakti i një mase të tillë ishte i menjëhershëm, me çmimin e naftës bruto që u rrit 10 përqind.

Top Channel