Bisedimet për paqe në Ukrainë përfundojnë pa marrëveshje

29/11/2016 00:00

Bisedimet katërpalëshe për t’i dhënë fund konfliktit separatist në lindje të Ukrainës përfunduan pa një marrëveshje gjatë kësaj të marte, teksa ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se deklaratat me “fjalë boshe” nuk janë të mjaftueshme për të arritur paqen e qëndrueshme.

Pavarësisht pritshmërive të ulëta, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Ukrainës dhe Rusisë u takuan në kryeqytetin bjellorus të Minskut, për të diskutuar mbi metodat e implementimit të marrëveshjes së armëpushimit të arritur vitin e kaluar për rajonin Donbass të Ukrainës.

Steinmeier tha se, si Ukraina ashtu dhe Rusia kanë përkeqësuar pozicionet e tyre dhe nuk shihet një marrëveshje politike për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Donbass, siç është kërkuar nga Rusia dhe nga separatistët e mbështetur nga Kremlini.

“Ishte sërish një ditë e lodhshme dhe e mërzitshme sot, – tha Steinmeier. – Deklaratat boshe nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur këtë konflikt”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov duket se la jashtë diskutimeve propozimin ukrainas për të lejuar monitoruesit e armatosur të OSBE-së në rajonin e Donbassit.

“Nuk ka pasur ndonjë të re sot. Marrëveshja e Minskut ka ngecur, ndërsa ne nuk po arrijmë të biem dakord për hapat e mëtejshëm”, u tha Lavrov reporterëve të pranishëm.

Por duke nënvizuar disa aspekte pozitive, Steinmeier tha se “Kryqi i Kuq Ndërkombëtar” mund të ndihmojë në lehtësimin e një shkëmbimi të një numri të konsiderueshëm të burgosurish përpara fundit të vitit, ndërsa u shfaq optimist se më shumë trupa do të tërhiqen nga pozicionet e tyre aktuale.

Katër shtetet pjesëmarrëse ranë dakord që në tetor që gjatë këtij muaji të mund të hartonin një udhërrëfyes sesi do ta implementonin armëpushimin e arritur në Minsk por të ngecur prej kohësh, në mënyrë që t’i jepnin fund luftimeve mes trupave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Konflikti separatist atje ka lënë të paktën 10 mijë viktima që prej nisjes së tij në vitin 2014.

Top Channel