Rosberg kampion, Hamilton më i forti; notat e sezonit

28/11/2016 00:00

Formula 1 ka një kampion të ri të botës, nga e diela. I 33-ti në radhën e kampionëve të këtij sporti të magjishëm. Në fakt është një përsëritje e historisë, ashtu si bëri dhe i ati në vitin 1982, Rosber ngjitet në fronin e kampionit të botës. Një sezon nga më të luftuarit i botërore, edhe pse rivalët vinin nga e njëjta skuadër. Le të shikojmë vlerësimet e mediave për pilotët.

NICO ROSBERG – 9
Mbetet një pilot shumë i mirë, por jo një fenomen. Bëri diferencën me shkëlqimin e tij, duke shfryëzuar pikat e dobëta të shokut të skuadrës. Një titull i mëse i merituar pas vitesh nën hijen e Hamilton dhe jo vetëm.

LEWIS HAMILTON – 8,5
Fitoi më shumë gara, arriti më shumë pole position, por humbi titullin kampion bote. Dhe jo vetëm për faj të besueshmërisë së makinës. Në disa raste gaboi në nisje dhe normalisht sjellja dhe kapriçot e tij nuk e ndihmuan të bënte diferencën, edhe pse është më i forti.

DANIEL RICCIARDO – 8
Vuajti shumë ardhjen e një shoku skuadre aspak komod si Verstappen, por shumë shpejt arriti të përshtatej. Vendi i tretë në klasifikimin e përgjithshëm është një arritje e madhe, për një pilot që nuk garanote me një Mercedes. Një kampionat i shkëlqyer.

SEBASTIAN VETTEL – 7
E mbylli sezonin me një garë të paimagjinueshme, teksa kaloi një sezon nën mesataren e tij. Nuk u pajtua me entuiziazmin e njerëzve të Maranellos që në fillim të sezonit besonin se ishin për kampion bote dhe shumë shpejt pranoi të dhënat që e shikonin Ferrarin si një skuadër pa pretendime. Kishte më shumë nervozizëm dhe paqartësi.

KIMI RAIKKONEN – 7
Është cilësuar si pilot i dytë, por në shumicën e rasteve bëri më mirë se piloti i kosnideruar Nr.1 te Ferrari. Mirë dhe jo shumë mirë, në një sezon shumë të keq për Ferrarin. “Iceman” ka triumfuar mbi të gjithë ata që kishin dyshime për rinovimin e kontratës së tij edhe për vitin 2017.

MAX VERSTAPPEN – 9
Ka nga ata që e duan, por edhe nga ata që e urrejnë, por Verstappen është padyshim një nga magjikët e sezonit të çmendur 2016. Me praninë e tij në pistë fjala ‘normalitet’ u hoq nga leksiku i garave të Formula 1. Është një diamant i papërpunuar, që mund të bëhet i dëmshëm për vete dhe të tjerët, nëse do të vazhdojë të rrëmbehet nga entuiziazmi dhe vrulli i tij.

FELIPE MASSA-JENSON BUTTON – 10
Nga gjenerata e tyre ka mbetur vetëm Alonso. Kanë qenë fëmijë, e më pas burra që kaluan epokën e Schumacher dhe shoqëruan Formula 1 deri te Max Verstappen. Dy pilotë me shumë nivel dhe dy zotërinj të vërtetë që do t’i mungojnë botës së automobilizmit.

Top Channel