28 Nëntori, Basha: Të nderojmë sakrificën e dëshmorëve

28/11/2016 00:00

Deputetët e PD, të kryesuar nga kryetari Basha bënë homazhe këtë të hënë në Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e 104-vjetorit të Pavarësisë.

Pasi vendosi buqeta me lule dhe mbajti një minutë heshtje, Basha mbajti edhe një prononcim për mediat.

“Dua t’iu uroj të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen gëzuar 28 Nëntorin. Ta nderojmë sakrificën e dëshmorëve të kombit, duke u bashkuar për ta bërë Shqipërinë një vend ku kthehen e jo largohen shqiptarët. Zoti bekoftë shqipërinë dhe kombin shqiptar. Gëzuar 28 Nëntorin”, tha Basha.

Më pas Basha bëri homazhe edhe përpara monumentit të heroit kosovar Adem Jashari, duke vlerësuar kontributin e tij për çlirimin e popullit shqiptar të Kosovës.

“Para sakrificës së tij dhe para familjes Jashari përkulemi sot me nderim të thellë duke kujtuar për veten tonë dhe për brezat që vijnë se heronjtë që vendosin sakrificën sublime në altarin e lirisë dhe pavarësisë nuk vdesin kurrë në zemrat e një kombi. Lavdi përjetë Adem Jasharit! Lavdi përjetë Dëshmorëve të Kombit! Gëzuar 28 Nëntorin!”, u shpreh Basha.

Ndërsa në orët e pasdites, kryetari i PD është ndalur përpara statujës së Ismail Qemalit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të nderuar figurën e tij.

“Në këtë orë, 104 vjet më parë Ismail Bej Vlora shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Bashkë me një grup patriotësh ai realizoi ëndrrën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Dua në emrin tim dhe qytetarëve shqiptarë kudo që ndodhen të bashkohemi për të ndërtuar një Shqipëri të ëndrrave dhe drejtësisë. Nderime atit të pavarësisë. Zoti i bekoftë shqiptarët”, ka thënë Basha.

Top Channel