Kosovë, papunësia bie në 26.2 përqind

26/11/2016 00:00

Ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale, Arban Abrashi ka thënë se rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, janë inkurajuese. Ai në një postim në Facebook, duke komentuar këto rezultate ka thënë se papunësia nga 35.3 përqind sa ishte në vitin 2014 këtë vit del të jetë 26.2 përqind.

Postimi i plotë:

Papunësia bie në 26.2% – rënie impresive e papunësisë prej 9.1%, për dy vite

Dje janë publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore nga ASK-ja për gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe rezultatet janë vërtetë inkurajuese. Sipas Agjencisë së Statistikave, në vitin 2014 papunësia në Kosovë ishte 35.3%, në vitin 2015 ishte 32.9%, ndërsa për këtë vit, deri më tani, del të jetë 26.2%.

Krahasuar me 2014, vetëm dy vite më parë rezulton që këtë vit kemi një rënie impresive të papunësisë prej 9.1 %. Ky rezultat është vërtetë inkurajues sepse tregon një trend të rënies së papunësisë përgjatë tërë vitit 2016 (TM1 2016 27.7%, TM2 2016 26.2%).

Dhe jo vetëm kaq, kjo rënie e papunësisë është më e ulëta në pesë vitet e fundit në vendin tonë. Duke filluar prej vitit 2012 e deri me 2015, papunësia në Kosovë asnjëherë nuk kishte pësuar rënie nën 30%. Viti 2016 shënon herën e parë që papunësia bie nën këtë nivel, duke arritur në 26.2%.

Jemi te vetëdijshëm për problemet tona ende të shumta, por me këtë trend të rënies së papunësisë, me buxhetin që për herë të parë e arrin shifrën prej dy miliardë eurosh dhe me rritjen e përgjithshme të zhvillimit ekonomik në rreth 4%, këto trende pozitive vetëm sa do të vazhdojnë të rriten duke rritur kështu zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të qytetarëve tanë.

Top Channel