Bushati takon Steinmeier: Vettingu të çohet deri në fund

22/11/2016 00:00

Vetëm një javë përpara vizitës së kryeministrit Edi Rama në Gjermani, Berlinin e ka vizituar minsitri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili është takuar me homologun e tij Frank-Walter Steinmeier.

Ky i fundit, duke risjellë në kujtesë vizitën e tij të pak muajve më parë në Shqipëri, konstaton progresin e arritur nga Shqipëria.

“Kur isha unë në Tiranë, më kujtohet se ishte e paqartë sesi do të formulohej kjo reformë në fushën e drejtësisë, sepse distanca midis pozitës dhe opozitës ishte shumë e madhe. Por jo vetëm ne, edhe Komisioni ishte i angazhuar me bisedimet me Shqipërinë, por në fund këto përpjekje u përkthyen në reformën në drejtësi. Kjo është shprehje e një zhvillimi dhe e një konsolidimi të brendshëm politik dhe kjo çon në konstatimin që unë e thash edhe në bisedime, se Shqipëria çka nuk pritej edhe nga shumë në Gjermani. Ajo është shndërruar në një spirancë stabiliteti në vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe është një partner i ngushtë jo vetëm i të gjithë europianëve së bashku, por edhe për Gjermaninë. Gëzohem që reforma në drejtësi u miratua dhe unë dua t’ju pohoj se ne do të vijojmë mbështetjen me mundësitë tona nëse ato dëshirohen për refomra të mëtejshme. Jam optimist dhe e inkurajojmë Shqipërinë që të vazhdojë në rrugën e nisur të integrimit europian”, deklaroi Steinmeier në konferencën e përbashkët për shtyp.

Nga ana e tij, ministri Bushati e vuri theksin tek rëndësia e rolit të Gjermanisë në këto të turbullta për Bashkimin Europian.

“Europa gjendet sot në një periudhë hezitimi, dyshimi dhe pasigurie, çka ndihet edhe më tepër në Europën jug-lindore. Për Shqipërinë, vëmendja dhe lidershipi i Gjermanisë në këto kohë të turbullta përbën faktor sigurie dhe qëndrueshmërie”, nënvizoi Bushati.

Gjatë takimit, dy ministrat vlerësuan impaktin pozitiv të Procesit të Berlinit, i cili ka jetësuar një bashkëpunim të përfocuar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. E në fund, kreu i diplomacise gjermane e cilësoi ministrin Bushati si një këshilltar të tijin personal për situatën në rajonin tonë.

Top Channel