KOKSH kundër FSHF-së për Gjykatën Sportive?

18/11/2016 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është formalisht pjesë e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), por fakti që është federata e sportit më popullor, aktualisht më të suksesshëm dhe me më shumë para’, ka bërë që ajo ta shohë me indiferentizëm çatinë olimpike. Ka ardhur koha që kjo të ndryshojë, të paktën kështu kanë lënë të kuptojnë krerët e KOKSH-it.

Ndryshimet e ligjit të sportit nuk kanë kaluar pa debat, si në komisionin parlamentar të pak ditëve më parë, por edhe mes organizmave sportivë në vend. Mes mangësirave dhe problemeve që ngriti presidenti i FSHF-së, Armand Duka në këtë komision, ishte edhe çështja e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të vendit tonë.

“Ne, si Federatë Futbolli, të konsultuar me UEFA-n dhe FIFA-n, kemi si gjykatë të shkallës së lartë CAS-in në Lozanë”, tha Duka.

KAS-i shqiptar ekziston që prej vitit 1998, ndërkohë që është parashikuar në ligjin për sportin që nga viti 1996. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, kjo hallkë e zgjidhjes së konflikteve është e domosdoshme, për shumë arsye, por kryesisht financiare.
 
“Ne nuk i ndajmë federatat. Të gjitha duhet të kenë një organ ku të ankohen. Kapërcimi direkt në CAS-in e Lozanës ka kosto shumë të madhe për ekipet. Tek ne, pala që nis procesin paguan 5 000 lekë dhe shpejtësia është maksimale. Ndërkohë, në Lozanë shifrat nisin nga 5 000 euro”.

Sa i përket këtij debati në distancë për KAS-in shqiptar që presidenti Duka verbalisht nuk e njeh, Bello sqaron që FSHF-ja e njeh zyrtarisht, duke qenë antare e KOKSH-it.
 
“Shumë kohë më përpara ka pasur një eksperiencë jo të mirë. FSHF-ja, kohë përpara se të vinte zoti Duka, e ka hedhur KAS-in shqiptar në Lozanë dhe Lozana e ka hedhur poshtë çështjen”, shprehet Bello.

Top Channel