Disiplina “shpëton” Flamurtarin

17/11/2016 00:00

Mbledhja e Komisionit të Disiplinës që ishte programuar për ditën e sotme (e enjte) e ku pritej të merrej një tjetër vendim i rëndë për skuadrën e Flamurtarit, nuk u mbajt për mungesë kuorumi.

Pak ditë më parë, skuadrës së Flamurtarit iu hoqën 6 pikë për mospagim të detyrimeve ndaj Veliut, Arbrit dhe Sakajt, ndërkohë që e njëjta masë pritej të merrej edhe në këtë mbledhje për shkak se afati i lënë për pagesën ndaj ish-trajnerit Ernest Gjoka skadoi më 14 nëntor.

Nga Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka një datë zyrtare se kur do të mblidhet Komisioni i Disiplinës për të shqyrtuar këtë rast, ndërsa administratori i skuadrës së Flamurtarit, Sinan Idrizi, nuk e njeh kontratën e trajnerit Gjoka, dhe si rrjedhojë as nuk pranon ta paguajë.

“Federata ka një kontratë, mesa di unë, të zotit Gjika. Ndërkohë që në zyrën time është një kontratë krejt tjetër. Unë, kontratën antiligjore dhe individuale që zoti Gjoka ka bërë me zotin Gjika para se unë të merrja Flamurtarin, nuk e njoh dhe nuk e paguaj. Kanë pasur mënyra financimi duke paguar ekipin e Flamurtanit jashtë buxhetit, në mënyrat e tij, ka pasur trashëgimi nga diku si duket, i ka përdorur për këto”, deklaroi ditë më parë për Top Channel, Sinan Idrizi.

Ndërkohë, Flamurtari është e vetmja skuadër e cila figuron me borxhe në FSHF. Veç padive të njohura deri më tani, shumë shpejt ndaj ekipit të Vlorës po përgatiten dy padi të reja, ajo e Erjon Vucajt dhe e Arsid Krujës. Një histori që po vazhdon pambarimisht, aq sa edhe rregullorja e FSHF-së nuk e ka të parashikuar se çfarë mund të ndodhë.

Top Channel