Muzika ballkanike bashkëkohore

16/11/2016 00:00

Një arenë e përbashkët muzikore për vendet e Ballkanit. Që prej 3 Nëntorit, ato përballën muzikën e tyre në “Festivalin e Muzikës Bashkëkohore Ballkanike”, ngjarje që u përmbyll mbrëmjen e së martës me përfaqesuen shqiptare.

Për pianisten Merita Rexha, ky ishte një ballafaqim i nevojshëm, pasi Ballkani ka shkolla shumë të mira të muzikës, të cilat si element të përbashkët kanë burimin në folklor.

“M’u duk një ide shumë e mirë organizimi i Festivali Ballkanik, mbledhja e këtyre vendeve të Ballkanit në një sofër të përbashkët. Kemi shumë gjëra të përbashkëta, duke nisur që nga folklori, gjuha deri diku, pse jo edhe muzikën bashkëkohore. Ky festival tregoi që kishim shumë të përbashkëta”, tha Merita Rexha Tërshana, pianiste dhe pedagoge në Universitetin e Arteve.

E në këtë përballje muzikore u vunë re vështirësitë e artistëve shqiuptarë, të cilët ndonëse ushtrohen në kushte të vështira në vendin tonë, ia dalin të triumfojnë në skenat botërore.

“Më vjen keq të pranoj se, përsa i përket investimeve, Shqipëria renditet në vendin e fundit për sa i takon artit. Por ama, për fat të mirë, niveli i kompozitorëve dhe interpretuesve shqiptarë ka bërë që falë investimit të tyre personal, të gjithë muzikantët dhe artistët kanë arritje shumë të mira”, tha më tej Rexha.

“Festivali i Muzikës Bashkëkohore Ballkanike” solli në mbrëmjen e fundit pjesë të njohura nga Endri Sina, Haig Zacharian, Thoma Simaku, etj., në interpretimin e Arben Llozi, Fatos Qerimaj, Jonela Golemi dhe Dorina Laro.

Top Channel