Gomonia në flakë, policia: E ndoqëm në det, skafistët i vunë flakën

15/11/2016 00:00

Policia e shtetit ka dhënë detaje lidhur me gomonen e djegur një ditë më parë në det. Në njoftimin zyrtar thuhet se policia e ndoqi gomonen në det, ndërsa skafistët i vunë flakën.

Pas gjetjes së gomones në flakë në vendin e quajtur Gjiri i Shën Adreas, policia konstatoi se ishte i njëjti mjet pas të cilit ishte vënë në ndjekje.

Mjeti ishte tip gomone, me gjatësi 12 metra, me dy motorë të markës “Mercury” me fuqi motorike 350hp, i cili në pjesën fundore ishte i djegur plotësisht ndërsa në bordin e mjetit vazhdonte të digjej kanabisi.

Ndërkaq, në vendin përreth gomones gjendej e përhapur dhe në thasë plastike Cannabis Sativa dhe qese plastike të ambalazhuara me mbishkrime në gjuhën Italiane.

Po gjatë kontrollit në një zonë të pyllëzuar u gjetën edhe disa pako të mëdha me lëndë narkotike. Përreth vendit ku u konstatua gomonia si dhe në zonën e pyllëzuar u gjet dhe u sekuestrua rreth 224 kg lëndë narkotike.

Policia vijon krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve, dhe identifikimin e mjetit lundrues.

Top Channel