SMS ogurzi për banorët e Aleppos: Keni 24 orë kohë

14/11/2016 00:00

Banorët e zonave lindore të Aleppos, të dërmuar nga lufta, morën një paralajmërim të beftë dhe serioz: përgatituni për bombardimin e qytetit tuaj dhe evakuoni banesat brenda 24 orëve të ardhshme.

Paralajmërimi erdhi me mesazhe në celularët e tyre, duke i nxitur të sëmurët dhe të plagosurit që të largohen para një sulmi të planifikuar me armë të saktësisë së lartë brenda 24 orësh.

Në të njëjtin kuadër, rebelët morën një ultimatum që të hedhin armët dhe të mohojnë udhëheqjen e tyre, përndryshe do të vriten. Besohet se mesazhi u dërgua nga regjimi sirian, i cili është i vetmi që ka aftësinë të dërgojë një mesazh të tillë masiv në të gjithë popullatën.

E ndërsa nuk ka ende raportime për sulme ajrore, mediet thonë se bombardimet e artilerisë dhe përleshjet në terren vazhdojnë të ashpra dhe vdekjeprurëse në të gjithë Aleppon. Që prej shtatorit të vitit të shkuar, avionët rusë mbështesin regjimin e Bashar al-Assadit me sulme të ashpra ndaj pozicioneve rebele, duke dërmuar Aleppon lindore, ku shkollat dhe spitalet janë shndërruar në rrënoja.

Mesazhi që i është dërguar popullsisë shihet si një reagim ndaj rebelëve sirianë, që muajin e shkuar nisën një ofensivë për të çarë rrethimin. Ndërsa ofensiva tashmë konsiderohet e dështuar, analistët mendojnë se regjimi i Assadit po organizon atë që shpreson të jetë sulmi përfundimtar për të eliminuar rezistëncën në qytet, diçka që do të thotë bombardimet e ardhshme do të jetë tejet të ashpra.

Kjo është konfirmuar më herët edhe nga vet Bashar al-Assad, i cili tha se qeveria siriane nuk ka zgjidhje tjetër veçse të spastrojë Aleppon nga terroristët dhe t’i shtyjë ata matanë kufirit turk nga kanë ardhur. Assad tha se Aleppo, pasi të jetë në duart e qeverisë, do të përdoret si një pedanë, nga ku të sulmohen terroristët në zona të tjera të vendit.

Top Channel