Izraeli përjashton mesfushorin Nir Bitton. Nuk iu bind trajnerit

10/11/2016 00:00

Në vigjiljen e një transferte të sikletshme, si në planin futbollistik, ashtu dhe në planin e sigurisë – të paktën sipas medieve izraelite, – kombëtarja e vendit hebre po përballet edhe me probleme të brendshme.

Këtë mesjavë është përjashtuar nga grumbullimi i skuadrës përfaqësuese mesfushori Nir Bitton, pas një konflikti me trajnerin Elisha Levi.

Ky i fundit aplikoi sanksionin e tij të parë që prej drejtimit të kombëtares izraelite, e këtë e bëri në prag të një 90-minutëshi delikat në “Elbasan Arena”. Futbollisti i ekipit të Celtic Glasgoë refuzoi t’i bindej urdhrave të trajnerit në stërvitje, duke u përjashtuar nga i gjithë grumbullimi. Pas konfliktit për rreshtimin në fushë, Nir Bitton nuk udhëtoi me Izraelin drejt Tiranës.

Por problemet e kombëtares rivale të kuqezinjve nuk u ndalën me kaq, pasi në stërvitjen e fundit u dëmtua në gju dhe portieri Ofir Marsiano, duke lënë ekipin, pasi u zëvendësua nga gardiani i Maccabit, Daniel Amos.

Në “Elbasan Arena”, mbrëmjen e së shtunës pritet të jenë të paktën 100 tifozë izraelitë, duke përfshirë dhe ambasadorin në Shqipëri, Boaz Rodkin.

Top Channel