Takimi i parë i Trumpit? Fton Netanyahun në SHBA

10/11/2016 00:00

Donald Trump ka ftuar Benjamin Netanyahun për takim në Shtetet e Bashkuara “me t’u krijuar rasti”, në atë që cilësohet si ftesa e parë ndaj një udhëheqësi ndërkombëtar nga presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, i cili synon të mbledhë aleatët ndërkombëtarë.

Zyra e kryeministrit izraelit thotë se dy udhëheqësit kanë folur në telefon të mërkurën, pas fitores shokuese të Trumpit president. “Kryeministri Netanyahu e përgëzoi presidentin e zgjedhur Trump për fitoren e tij, si dhe i shprehu faktin se Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të vyer sesa Izraeli”, tha një zëdhënës izraelit.

“Dy udhëheqësit, të cilët njihen prej vitesh, kanë pasur një bashkëbisedim të ngrohtë dhe të përzemërt. Presidenti i zgjedhur Trump ka ftuar kryeministrin Netanyahu për takim në SHBA, me t’iu dhënë mundësia. Ndërsa kryeministri Netanyahu i ka konfirmuar Trumpit se, së bashku me bashkëshorten e tij Sara mezi presin të takohen me të dhe bashkëshorten e tij, Melania”.

Netanyahu e uroi Trumpin, duke e quajtur atë “një mik të vërtetë të Izraelit”, si dhe duke thënë se mezi pret të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. “Lidhja e hekurt mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit i ka rrënjët në vlerat e përbashkëta, mbështetet në interesat e përbashkëta dhe udhëhiqet nga fatet e përbashkëta”, shtoi ai. “Kam besim se presidenti i zgjedhur Trump dhe unë do të vazhdojmë të forcojmë aleancën unike mes dy vendeve tona dhe ta çojmë atë në nivele edhe më të larta”.

Netanyahu i takoi të dy, kandidatin republikan dhe Hillary Clintonin në shtator, kur Trump tha se do të njihte Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, duke irrituar kështu palestinezët, të cilët e konsiderojnë qytetin e shenjtë si kryeqendrën e tyre. Pas zgjedhjeve, Netanyahu i telefonoi edhe ish-Sekretares së Shtetit, duke e “falënderuar atë për mbështetjen ndaj Izraelit”.

Dy vendet njihen për aleancën mes tyre, teksa Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar një paketë ndihme ushtarake prej 38 miliardë dollarësh më herët gjatë këtij viti.

Top Channel