NBA, “kavaljerët” e James mposhten nga Atlanta

09/11/2016 00:00

Cleveland Cavaliers pëson humbjen e parë në NBA, pikërisht ditën që Shtetet e Bashkuara zgjodhën presidentin e ri, Donald Trump. Skuadra nga Ohio u mposht nga Atlanta Hawks me rezultatin 106-110.

LeBron James shënoi 23 pikë, rrëmbeu 9 topa në tabelë e dha 5 asiste, statistika të cilave iu bashkëngjiten 24 pikët e Love dhe 29 të Kyrie Irving. Megjithatë, këto shifra nuk iu mjaftuan “kavaljerëve” që të evitojnë disfatën e parë sezonale, ndërkohë që Atlanta shënoi fitoren e dytë radhazi.

Për Denver Nuggets, ndërkohë, vijon momenti jo shumë i mirë. Skuadra nga Colorado nuk mundi që të përsërisë në përballjen me Memphis suksesin me Boston Celtics, duke dalë nga “FedEx Stadium” e humbur. Ishte një sfidë, të cilën skuadra e Nuggets e pa t’i rrëshqiste nga duart në sekondat e fundit, kur Marc Gasol shënoi pikët vendimtare për Memphisin, që e mbylli sfidën 108-107.

Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Dallas shënoi fitoren e dytë sezonale duke mundur LA Lakers 109-97, ndërsa Portland fitoi me Phoenix 124-121.

Top Channel