Donald Lu: Nuk ndryshojnë marrëdhëniet me Shqipërinë

09/11/2016 00:00

Marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë nuk do të kenë ndryshime, u shpreh ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu. Sipas tij marrëdhëniet do të mbeten të ngushta dhe në administratën Trump.

“SHBA kanë zgjedhur presidentin e 45-të të SHBA, Donald Trump. Këto zgjedhje ishin një votë për ndryshim në SHBA. Por kjo nuk do të thotë ndryshim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA. SHBA dhe Shqipëria kanë pasur marrëdhënie të ngushta si përgjatë administratave republikane dhe atyre demokrate. Jam besimplotë që marrëdhëniet tona do të mbeten të ngushta në administratën Trump”, tha Lu.

E teksa në SHBA u mbyll një fushatë e gjatë, në Shqipëri nis viti elektoral dhe Lu shpreh besimin se shqiptarët do të bëjnë zgjedhje të mençura.

“Teksa ne fillojmë të shërojmë ndarjet partiake në të majtë e në të djathtë në SHBA, shqiptarët do të nisin një debat të gjatë që do të kulmojë me zgjedhjet e qershorit. Si gjithë demokracitë e mëdha më lejoni tu them që populli shqiptar do të bëjë zgjedhje të mençura. Ai do të vazhdojë të rritë vlerat demokratike që e lidhin Shqipërinë me Europën dhe SHBA”, tha Lu.

Top Channel