NBA, Dallas siguron fitoren e parë…ndaj Milwaukee

07/11/2016 00:00

Dallas Mavericks regjistron fitoren e parë në këtë sezon të NBA-së. Skuadra teksane mposhti në ndeshjen e saj të gjashtë Milwaukee Bucks, me rezultatin 86-75, falë një loje të shkëlqyer të Harrison Barnes.

Ky i fundit shënoi 34 pikë në këtë sfidë, që përbën edhe një rekord personal për të. Në fitoren e Mavericks dhanë kontributin e tyre edhe Barea e Matthews.

Milwaukee, nga ana e saj, edhe pse vinte si favorite për të fituar nuk arriti dot të imponojë lojën e saj sulmuese. Ishte një ndeshje me statistika të varfra përsa i përket përqindjes së realizimit të pikëve, ndërsaskuadrat ishin shumë pranë njëra-tjetrës. Sfida shkoi në kohë shtesë, ku Dallas bëri më mirë se Milwaukee për ta fituar atë.

Sfida e “Staples Center”, mes Los Angeles Lakers dhe Phoenix Suns, u cilësia edhe si ndeshja e të rinjve. Kalifornianët morën më të mirën në këtë përballje, të cilën e mbyllën në favorin e tyre 119-108, për ta çuar në 4 fitore e 3 humbje bilancin e tyre.

Diferencën në parket e bënë lojtarët e stolit të Lakers, që shënuan 47 pikë kundrejt 9 të atyre të Phoenix. Spikatën në këtë përballje për Lakers, Clarckson, Randle dhe Nick Young, ndërsa në krahun tjetër, Booker e T.J. Warren shënuan respektivisht 39 dhe 22 pikë, por që nuk i hynë në punë skuadrës nga Arizona.

Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Utah mundi New Yorkun 114-109, Portland fitoi me Memphis 100-94, Denver mposhti Bostonin 123-107, ndërsa Sacramento mundi Toronton 96-91.

Top Channel