Jemen, koalicioni i udhëhequr nga sauditët vret dhjetëra persona

30/10/2016 00:00

Avionët e koalicionit arab bombarduan një kompleks sigurie në afërsi të qytetit jemenas Hodeidah, duke vrarë 60 persona, përfshirë të burgosur që gjendeshin aty. Në burg gjendeshin 84 të burgosur, kur ndërtesa u godit 3 herë të shtunën vonë.

Provinca Hodeidah kontrollohet nga rebelët Huthi, por sipas zyrtarëve të burgut, vetëm gardianët dhe të burgosurit gjendeshin aty në kohën e sulmit. Koalicioni i sulmeve ajrore, që udhëhiqet nga Arabia Saudite, lufton lëvizjen e armatosur të rebelëve Huthi në Jemen që prej marsit tw vitit 2015, në përpjekje për të rikthyer në pushtet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të presidentit Abd-Rabbu Mansour Hadi.

Ky i fundit u detyrua të largohej në ekzil në vitin 2014, nga grupi i rebelëve që mbështetet nga Irani. Dëshmitarë okularë thanë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se e gjithë ndërtesa e burgut u shemb dhe ekipet e emergjencës kanë nxjerrë rreth 20 trupa nga rrënojat, ndërsa viktima të tjera gjenden nën to.

Koalicioni saudit nuk komentoi sulmin, i cili ishte një nga më vdekjeprurësit e fushatës, që ka dështuar deri tani në dëbimin e rebelëve Huthi nga kryeqyteti, por që rregullisht ka goditur shkolla, tregje, spitale dhe shtëpi, duke vrarë shumë civilë.

Sulmi i fundit mund të jetë një shenjë e ripërtëritjes së dhunës, një ditë pasi presidenti në ekzil Hadi refuzoi një propozim të OKB-së për paqen, me justifikimin se kushtet e tij do të shkaktonin më shumë luftime.

Top Channel