Itali, korrupsion me tendera, 35 të arrestuar; zyrtarë VIP dhe biznesmenë

26/10/2016 00:00

Të paktën 35 arrestime janë kryer në Itali, nga karabinierët në Romë dhe Guardia di Finanza në Xhenova për afera korruptive në tendera për punime të mëdha në infrastrukturë.

Sipas raportimeve të mediave italiane, mes të arrestuarve rezultojnë emra VIP si nga politika ashtu edhe nga fusha e biznesit.

Sipas burimeve, në pranga ka përfunduar edhe djali i ish-ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës, Pietro Lunardi, Giuseppe; si dhe i biri i ish-llogaritarit të përgjithshëm të Shtetit, Andrea Monorchio, Giandomenico.

Në fokus të hetimeve kanë qenë punimet për projektin që njihet si Kalimi i Tretë Milano-Xhenova, për të cilin prokurorët ngrenë akuza për korrupsion dhe manipulim në tender, për rreth 324 milionë euro.

Një tjetër projekt ku sipas hetuesve ka patur afera të ngjashme është ai për aksin rrugor Salerno-Rexho Kalabria, apo ai i transportit “People Mover” në Piza.

Hetimet e nisura nga prokuroritë e dy qyteteve u bashkuan në një fazë të tyre, në të cilën ishin të përfshirë 4 persona, tashmë të arrestuar.

Nga hetimet e kryera në Romë, hetuesit kanë konstatuar parregullësi dhe favorizime në dhënien e kontratave publike për shërbime të ndryshme, si punime në infrastrukturë, konsulencë, furnizim produktesh, etj.

E gjitha kjo skemë, në favor të disa biznese ishte realizuar përmes bashkëpunimit të ofruar nga funksionarë dhe drejtues të lartë zyrave përgjegjëse për punimet.

Top Channel