Shkrumbohen pjesë të kampit të “xhunglës” në Calais

26/10/2016 00:00

Zjarret kanë shkrumbuar një pjesë të kampit të emigrantëve në Calais (Kalè), ndërsa autoritetet franceze vazhdojnë operacionet për ta shkatërruar atë. Mësohet se, të paktën një bombol gazi shpërtheu dhe një emigrant u plagos gjatë zjarreve që shpërthyen natën.

Të hënën autoritetet franceze nisën evakuimin e kampit që njihet me nofkën “Xhungla”. 4.000 nga rreth 7.000 njerëzit që qëndronin aty janë dërguar në kampe zyrtare refugjatësh, në zona të tjera të Francës.

Por shumë të tjerë janë ende aty, ndërsa vijon operacioni për prishjen e kampit dhe ka shqetësime se kjo mund të sjellë përplasje, pasi emigrantët nuk duan të heqin dorë nga mundësia për të kaluar kanalin anglez drejt Britanisë, arsyeja kryesore pse qëndronin në kampin e jashtëligjshëm dhe me kushte të tmerrshme të Calais (Kalèsë).

Dyshohet se zjarret në kamp mund të jenë ndezur nga emigrantët, si një akt final kundërshtimi, pasi nuk duan të largohen dhe nuk duan që çadrat e tyre të preken nga autoritetet.

Deri tani operacioni për evakuimin e kampit ka qenë kryesisht i qetë dhe duket se shumica e emigrantëve e kanë kuptuar se nuk do të lejohen të qëndrojnë aty.

Mësohet se prishja e çadrave është bërë me dorë dhe me vegla të thjeshta, pasi autoritetet besojnë se përdorimi i buldozerëve do të dërgonte mesazhin e gabuar te refugjatët. Pritet që kampi të spastrohet i gjithi deri të premten, ndërsa autoritetet mendojnë se disa dhjetëra njerëz do të kenë mbetur aty deri atëherë.

Top Channel